Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Σάββατο 28 Απριλίου 2012

Ndërtesa e Kishës

Adhurimi - I - Ndërtesa e Kishës Gjatë historisë së Kishës Orthodhokse u zhvillua një stil i përcaktuar në arkitekturën e Kishës. Ky stil karakterizohet nga orvajtja për të treguar përvojën themelore të Krishtërimit Orthodhoks: Perëndia është me ne. Forma e ndërtesës së Kishës Orthodhokse, përcaktohet nga fakti që Krishti Emanuel (që i përkthyer do të thotë “Perëndia me ne”), tashmë ka ardhur. Perëndia është me njeriun në Krishtin nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Vendi i banimit të Perëndisë është me njeriun. “I Larti nuk banon në shtëpitë e bëra nga duart”, thotë Shën Stefani, duke cituar profetët e Dhiatës së Vjetër. Shën Pavli thotë se njerëzit janë tempujt e Perëndisë: Krishti vetë është guri i çipit, në të cilin gjithë ndërtesa është e lidhur së bashku dhe rritet në tempull të shenjtëruar në Zotin; në të cilin edhe ju jeni ndërtuar bashkë, që të rrijë Perëndia me anë të Frymës (Efesianët 2:21-22). Fjalët e Shën Pietrit janë të njëjta: Në të cilin, duke ardhur si gurë të gjallë... dhe porsi gurë të gjallë ju ndërtoheni në një shtëpi shpirtërore... që të ofroni flijim shpirtëror të pëlqyeshëm te Perëndia, me anë të Jisu Krishtit (1 Pietri 2:4-5). “Ne jemi tempulli i Perëndisë së gjallë...” (2 Korinthianët 6:16). Dhe, pikërisht këtë bindje dhe përvojë do të japë arkitektura e Kishës Orthodhokse. Arkitektura e Kishës Orthodhokse, tregon që Perëndia është me njerëzit, duke banuar e jetuar në ata me anë të Krishtit dhe Shpirtit. Për këtë arsye, përdoret kubeja ose tavani i harkuar, si kurorë mbi ndërtesën e Kishës së krishterë, shtëpisë së Kishës, që është Populli i Perëndisë. Jo si harqet me majë, të cilët drejtohen drejt Perëndisë larg në qiejt, kubeja, duke përfshirë tërë tavanin, jep përshtypjen se në Mbretërinë e Perëndisë dhe në Kishën, “të gjitha përmblidhen në Krishtin, edhe ato që janë në qiejt, edhe ato që janë mbi dhé” (Efesianët 1:10) dhe në Atë ne jemi të gjithë “të mbushur me të mbushurit e Perëndisë” (Efesianët 3:19). Brendësia e ndërtesës së Kishës Orthodhokse ndërtohet në një mënyrë të tillë, që të japë përvojën e unitetit të të gjitha gjërave në Perëndinë. Ajo nuk është ndërtuar për të riprodhuar dhomën e Darkës Mistike dhe jo për të qenë thjesht një vend mbledhjeje për njerëzit, jeta e të cilëve qëndron vetëm brenda kufijve të kësaj bote. Ndërtesa e Kishës është modeluar sipas shëmbëllesës së Mbretërisë të Perëndisë, e cila jepet në Librin e Zbulesës. Përpara nesh është Tryeza e Shenjtë (altari), në të cilën Krishti është në fron, si Fjala e Perëndisë në Ungjillin dhe si Qengji i Perëndisë në Blatën e Hyjshme. Rreth tryezës janë engjëjt dhe shenjtorët, shërbyesit e Fjalës dhe të Qengjit, të cilët e lavdërojnë atë - dhe nëpërmjet tij, Perëndinë Atë - në një adhurim të përhershëm, të frymëzuar prej Shpirtit të Shenjtë. Besnikët e krishterë në tokë, të cilët tashmë i përkasin kësaj asambleje hyjnore - “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe shtëpiakë të Perëndisë...” (Efesianët 2:19) - hyjnë në adhurimin e përjetshëm të Mbretërisë së Perëndisë, i cili bëhet në Kishë. Prandaj, në praktikën orthodhokse narteksi (hyrja) simbolizon këtë botë. Naosi është vendi i Kishës si populli i Perëndisë. Zona e altarit e quajtur hierore ose shenjtërore, simbolizon Mbretërinë e Perëndisë.

Pashkë 2012 - Mesazhi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Τρίτη 10 Απριλίου 2012

Koncert me Muzikë Bizantine, "Ty të meriton madhështimi"

Me rastin e së kremtes së madhe të Pashkës, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli”, nën drejtimin e profesorit të muzikës bizantine z.Theodhor Peci, organizoi në datën 3 prill koncertin “Ty të meriton madhështimi”. Repertori përmbante tropare e himne nga Triodhi dhe Java e Madhe. Ato u interpretuan bukur dhe me shumë melodicitet, duke krijuar tek pjesëmarrësit një atmosferë lutëse dhe kataniktike. Të ftuar në këtë koncert ishin edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, episkopë, klerikë, besimtarë edhe muzikëdashës. Gjithashtu, në datën 1 prill, kori “Shën Joan Kukuzeli” dha koncert edhe në qytetin e Beratit me ftesë të Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignatit."Imzot Ignatit.



Κυριακή 8 Απριλίου 2012

Mëngjezore Mt. 21:1-11,15-17,Liturgji Apostulli Fil.4:4-9 Ungjilli Jn.12:1-18


Mëngjezore Mt. 21:1-11,15-17
Edhe kur u afruan në Jerusalem, dhe erdhën në Betfagji pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jisui dërgoi dy nxënës, duke u thënë atyre: Shkoni në atë fshat që është përballë jush, dhe menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur dhe një pulisht bashkë me të. Zgjidhini e m’i sillni. Edhe në u thëntë gjë juve ndonjë njeri, t’i thoni se Zoti ka nevojë për atë; dhe menjëherë do t’i dërgojë ata mbrapsht. Edhe gjithë kjo u bë që të përmbushet ç’është thënë nga profeti, që thotë: “Thuajini bijës Sionë: Ja mbreti yt tek po të vjen i butë dhe hipur mbi gomare dhe mbi pulisht bir shtaze”. Edhe nxënësit, si shkuan, dhe bënë siç i urdhëroi ata Jisui, prunë gomaren dhe pulishtin. Edhe vunë mbi ata rrobat e tyre dhe e hipën atë sipër. Edhe më e shumta e turmës shtruan rrobat e tyre në udhë; dhe të tjerë këputnin degë pemësh e i shtronin në rrugë. Edhe turmat që i vinin përpara dhe ata që i vinin prapa bërtitnin, duke thënë: Hosana birit të Davidit. I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit. Hosana në më të lartat. Edhe kur ai hyri në Jerusalem, u tund tërë qyteti duke thënë: Cili është ky? Edhe turmat thoshin: Ky është Jisui, profeti, që është nga Nazareti i Galilesë. Po kryepriftërinjtë dhe shkruesit, kur panë çudirat që bëri, dhe djemtë duke bërtitur në tempull e duke thënë: Hosana birit të Davidit, u zemëruan dhe i thanë atij: Dëgjon se ç’thonë këta? Edhe Jisui u thotë atyre: Po. Kurrë s’keni lexuar “Se nga goja e fëmijëve dhe e foshnjave bëre gati lavdërim”? Edhe si i la ata, doli jashtë qytetit në Betani, dhe e shkoi natën atje.


Liturgji Apostulli Fil.4:4-9
Gëzohuni përherë në Zotin; përsëri do të them: Gëzohuni. Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit. Zoti është afër. Mos kini kujdes për asgjë; po në çdo gjë kërkesat tuaja le t’i bëhen të njohura Perëndisë me falënderime me anë të faljes e të lutjes. Edhe paqja e Perëndisë që kapërcen çdo mendje do të ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja me anë të Jisu Krishtit. Prandaj, vëllezër, sa janë të vërteta, sa janë të hijshme, sa janë të drejta, sa janë të pastra, sa janë të dashura, sa janë të lavdëruara, nëse ka ndonjë mirësi, dhe nëse ka ndonjë lavdërim, këto mendoni. Ato që edhe mësuat dhe morët dhe dëgjuat e patë tek unë, këto bëni; dhe Perëndia i paqes do të jetë bashkë me ju.

Ungjilli Jn.12:1-18
Jisui pra gjashtë ditë përpara pashkës erdhi në Betani, ku ishte Llazari që pati vdekur, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish. Edhe i bënë darkë atje; dhe Marta shërbente; dhe Llazari ishte një prej atyre që rrinin në tryezë bashkë me të. Atëherë Maria mori një litër vaj ere prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, dhe leu këmbët e Jisuit, dhe me flokët e saj fshiu këmbët e tij; dhe shtëpia u mbush me aromën e vajit të erës. Një, pra, nga të dymbëdhjetë nxënësit e tij, Juda Iskarioti, i biri i Simonit, ai që do ta tradhtonte, thotë: Përse të mos shitej ky vaj ere treqind dinarë e t’u jepej të varfërve? Edhe këtë e tha, jo se donte të dinte për të varfrit, po se ishte vjedhës dhe kishte kuletën e asprave, dhe mbante ç’viheshin në të. Jisui pra tha: Lëre, se e ruajti për ditën e varrimit tim. Sepse të varfrit i keni përherë bashkë me vete, po mua nuk më keni përherë. Një turmë e madhe pra prej Judenjve morën vesh se është atje; dhe erdhën jo për Jisuin vetëm, po që të shohin edhe Llazarin, të cilin e kishte ngjallur prej së vdekurish. Po kryepriftërinjtë bënë këshillë, që të vrasin edhe Llazarin. Sepse shumë veta prej Judenjve vinin për atë, dhe i besonin Jisuit. Të nesërmen një turmë e madhe që kishte ardhur në të kremten, kur dëgjuan se vjen Jisui në Jerusalem, morën degë palmash, dhe i dolën përpara ta presin, dhe thërrisnin: Hosanna, i bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit, mbreti i Izraelit. Edhe Jisui gjeti një pulisht, dhe ndenji mbi të, siç është shkruar: “Mos ki frikë, bijë e Sionit, ja mbreti yt tek po vjen duke ndenjur mbi pulisht gomareje”. Edhe nxënësit nuk i kuptuan këto në fillim; po kur u lavdërua Jisui, atëherë u ra ndër mend atyre se këto ishin shkruar për të, dhe se këto ia bënë atij. Turma pra që ishte bashkë me të dëshmonte se thirri Llazarin nga varri, dhe e ngjalli prej së vdekurish. Prandaj edhe turma i doli përpara, sepse dëgjoi se ai kishte bërë këtë çudi

Παρασκευή 6 Απριλίου 2012

† Osh. Gjergji në Malea. Osh. Platoni. Osh. Zosimai.

4 PRILL
† Osh. Gjergji në Malea. Osh. Platoni. Osh. Zosimai.
------------------------------​--------------
Platoni, oshënar
Lindi në Konstandinopojë, midis viteve 732-735 nga prindër shumë të shquar dhe të pasur, Sergji dhe Efimia, që vdiqën shpejt. Megjithëse shumë i arsimuar dhe i lavdishëm, ofiqar i oborrit, ndau pasurinë e tij dhe u dorëzua (qeth) murg, me sa duket më 763, në manastirin Simvolon të Olimbit të Vithinisë, në veriperëndim të Azisë së Vogël, ku ishte igumen nga viti 770. Mbas pushimit të përndjekjes kundër ikonofilëve mundi të shkojë në kryeqytet (780). Refuzoi fronin mitropolitan të Nikomedisë, dhe si iu mësoi të afërmve të tij murgjërinë, u kthye. Pothuajse atëherë motra e tij, Theoktista, bashkëshorti i saj, Fotini, të tre fëmijët e tyre - dy ishin shenjtorët Theodhor Studhiti (11 nëntor) dhe Josifi i Selanikut (14 korrik) - dhe të tjerë të sajtë, u bënë murgj në manastirin e tyre privat afër fshatit Sakudhion të Vithinisë. Më 782 ftuan si igumen Platonin. Oshënari mori pjesë në sinod në Konstandinopojë (786) dhe në Sinodin e Shtatë Ekumenik në Nikea (787). Më 794 u hoq si i sëmurë dhe dha dorëheqjen në favor të Theodhorit, që të bëhej ai igumen. Manastiri i tyre u shndërrua në pikë mbështetjeje të “Zilotëve”, që iu kundërvunë thekshëm martesës së paligj-shme të perandorit, Konstandini VI (780-797) me një të afërme të oshënarëve. Ai prishi manastirin, solli xhaxhain në Konstandinipojë dhe burgosi të dy nipat në Selanik (795 ose 796). Mbas largimit të mbretit shenjtorët u kthyen në Sakudhion (797). Ndërkaq, për arsye të mësymjes së arabëve u vendosën në Konstandinopojë (798), ku iu dha nga perandoresha Irini (792-802) dhe nga patriku, shën Tarasi (25 shkurt) manastiri gjysmë i rrënuar i Studhiut, të cilin e bënë të famshëm. Ndoshta Platoni ka qenë igumen edhe këtu. Gjërat në lidhje me martesën e paligjshme dolën përsëri në pah, studhitët mbajtën qëndrim dhe të tre oshënarët e guximshëm u internuan në vitin 809, secili veç e veç në Pro-pondidhë (det i vogël para Konstandinopojës). Platoni u revokua për shkak të sëmundjes së rëndë (811) dhe mbeti në shtrat derisa fjeti (4.4.814). Platon, greqisht = i gjërë.