Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Σάββατο 28 Απριλίου 2012

Ndërtesa e Kishës

Adhurimi - I - Ndërtesa e Kishës Gjatë historisë së Kishës Orthodhokse u zhvillua një stil i përcaktuar në arkitekturën e Kishës. Ky stil karakterizohet nga orvajtja për të treguar përvojën themelore të Krishtërimit Orthodhoks: Perëndia është me ne. Forma e ndërtesës së Kishës Orthodhokse, përcaktohet nga fakti që Krishti Emanuel (që i përkthyer do të thotë “Perëndia me ne”), tashmë ka ardhur. Perëndia është me njeriun në Krishtin nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Vendi i banimit të Perëndisë është me njeriun. “I Larti nuk banon në shtëpitë e bëra nga duart”, thotë Shën Stefani, duke cituar profetët e Dhiatës së Vjetër. Shën Pavli thotë se njerëzit janë tempujt e Perëndisë: Krishti vetë është guri i çipit, në të cilin gjithë ndërtesa është e lidhur së bashku dhe rritet në tempull të shenjtëruar në Zotin; në të cilin edhe ju jeni ndërtuar bashkë, që të rrijë Perëndia me anë të Frymës (Efesianët 2:21-22). Fjalët e Shën Pietrit janë të njëjta: Në të cilin, duke ardhur si gurë të gjallë... dhe porsi gurë të gjallë ju ndërtoheni në një shtëpi shpirtërore... që të ofroni flijim shpirtëror të pëlqyeshëm te Perëndia, me anë të Jisu Krishtit (1 Pietri 2:4-5). “Ne jemi tempulli i Perëndisë së gjallë...” (2 Korinthianët 6:16). Dhe, pikërisht këtë bindje dhe përvojë do të japë arkitektura e Kishës Orthodhokse. Arkitektura e Kishës Orthodhokse, tregon që Perëndia është me njerëzit, duke banuar e jetuar në ata me anë të Krishtit dhe Shpirtit. Për këtë arsye, përdoret kubeja ose tavani i harkuar, si kurorë mbi ndërtesën e Kishës së krishterë, shtëpisë së Kishës, që është Populli i Perëndisë. Jo si harqet me majë, të cilët drejtohen drejt Perëndisë larg në qiejt, kubeja, duke përfshirë tërë tavanin, jep përshtypjen se në Mbretërinë e Perëndisë dhe në Kishën, “të gjitha përmblidhen në Krishtin, edhe ato që janë në qiejt, edhe ato që janë mbi dhé” (Efesianët 1:10) dhe në Atë ne jemi të gjithë “të mbushur me të mbushurit e Perëndisë” (Efesianët 3:19). Brendësia e ndërtesës së Kishës Orthodhokse ndërtohet në një mënyrë të tillë, që të japë përvojën e unitetit të të gjitha gjërave në Perëndinë. Ajo nuk është ndërtuar për të riprodhuar dhomën e Darkës Mistike dhe jo për të qenë thjesht një vend mbledhjeje për njerëzit, jeta e të cilëve qëndron vetëm brenda kufijve të kësaj bote. Ndërtesa e Kishës është modeluar sipas shëmbëllesës së Mbretërisë të Perëndisë, e cila jepet në Librin e Zbulesës. Përpara nesh është Tryeza e Shenjtë (altari), në të cilën Krishti është në fron, si Fjala e Perëndisë në Ungjillin dhe si Qengji i Perëndisë në Blatën e Hyjshme. Rreth tryezës janë engjëjt dhe shenjtorët, shërbyesit e Fjalës dhe të Qengjit, të cilët e lavdërojnë atë - dhe nëpërmjet tij, Perëndinë Atë - në një adhurim të përhershëm, të frymëzuar prej Shpirtit të Shenjtë. Besnikët e krishterë në tokë, të cilët tashmë i përkasin kësaj asambleje hyjnore - “bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe shtëpiakë të Perëndisë...” (Efesianët 2:19) - hyjnë në adhurimin e përjetshëm të Mbretërisë së Perëndisë, i cili bëhet në Kishë. Prandaj, në praktikën orthodhokse narteksi (hyrja) simbolizon këtë botë. Naosi është vendi i Kishës si populli i Perëndisë. Zona e altarit e quajtur hierore ose shenjtërore, simbolizon Mbretërinë e Perëndisë.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Δημοσίευση σχολίου