Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Δευτέρα 30 Ιουλίου 2012

Mesazhi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë


Në jetën e Krishtit, që u kurorëzua në Kryq dhe me Ngjalljen e Tij, u zbulua paqja e shuamanshme që Ai i dhuron botës. Perëndia, tek i cili kemi mbështetur besimin tonë, është "Perëndia i paqes" (Filip. 4:9). Kjo paqe nis nga thellësitë e qenies njerëzore, që të bëhet forcë e dobishme, e cila qetëson tërë botën. Paqja që predikon Dhiata e Re është shumëdimensionale: personale, shoqërore dhe njëkohësisht shenjtëruese, e përgjithshme, eskatologjike.
     Kuptimi i krishterë i paqes së brendshme është diçka shumë më e thellë dhe më e gjerë nga qetësia e stoikëve apo nga nirvana e budistëve dhe nuk lidhet fare me apatinë për ato që ndodhin rreth nesh. Ungjilli zbuloi se e kundërta e paqes nuk është lufta, por uni, egocentrizmi vetjak, social, etnik, racial. Këtu gjendet rrënja e kërcënimit kundër paqes dhe këtu duhet të kthehen vëmendja dhe përpjekjet tona.

Apostulli Vep. 15:35-41 Ungjilli Mt. 18:1-11 (E hënë 30 korrik)




Apostulli Vep. 15:35-41
Edhe Pavli e Varnava rrinin në Antioki, duke mësuar e duke predikuar fjalën e Zotit, bashkë me shumë të tjerë. Edhe pas disa ditësh Pavli i tha Varnavës: Le të kthehemi tani të shohim si janë vëllezërit tanë në çdo qytet që dhamë lajmin e mirë për Zotin. Edhe Varnava donte të marrë me vete Joanin që quhej Mark. Po Pavli s’e gjente për mirë të marrë me vete atë që qe ndarë prej tyre nga Pamfilia, dhe nuk erdhi me ta në punë. Ndodhi pra një grindje, kaq sa ata u ndanë njëri prej tjetrit; dhe Varnava mori me vete Markun dhe lundroi për në Qipro. Po Pavli zgjodhi Silën dhe doli, si u dha prej vëllezërve në hir të Perëndisë. Edhe shkuan nëpër Siri e nëpër Kiliki, duke forcuar kishat.


Ungjilli Mt. 18:1-11
Në atë orë erdhën nxënësit tek Jisui e i thanë: Vallë, cili është më i madh në mbretërinë e qiejve? Edhe Jisui thirri pranë vetes së tij një djalë të vogël, dhe e vendosi atë në mes të tyre, e tha: Me të vërtetë po ju them juve, në mos u kthefshi e të bëheni si djemtë e vegjël, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve. Ai që të përulë pra veten e tij si ky djalë i vogël, ky është më i madh në mbretërinë e qiejve. Dhe ai që të presë një të këtillë djalë të vogël në emrin tim, më ka pritur mua. Po kush të pengojë një nga këta të vegjlit që më besojnë, është më mirë për të t’i varet një gur mulliri mbi qafë dhe të hidhet në fund të detit. Mjerë bota nga skandalet! Sepse është e nevojshme të vijnë skandalet, po mjerë ai njeri, prej të cilit vjen skandali. Edhe në të skandalizoftë dora jote a këmba jote, preji, dhe hidhi prej teje; është më mirë për ty të hysh në jetë i çalë a dorac, se të kesh dy duar a dy këmbë e të hidhesh në zjarr të pasosur. Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre atë dhe hidhe prej teje; më mirë është për ty të hysh në jetë me një sy vetëm, se të kesh dy sy e të hidhesh në gjehenën e zjarrit. Shikoni, mos përçmoni një nga këta të vegjlit; sepse po ju them juve, se engjëjt e tyre në qiejt shohin gjithnjë faqen e Atit tim që është në qiejt. Sepse Biri i njeriut erdhi të shpëtojë të humburin.