Orthodox Autocephalous Church of Albania-Supporters

Παρασκευή, 14 Σεπτεμβρίου 2012

Filloi me lutje e shpresëtari Viti i ri Kishtar



Kisha Orthodhokse kremtoi më 1 shtator fillimin e Indiktit ose fillimin e Vitit të ri Kishtar. Qëllimi i Vitit Kishtar është t’u kujtojë besimtarëve mësimin e Ungjillit dhe ngjarjet kryesore të historisë së krishterë në rrjedhën e kohërave. Në kishën katedrale “Ungjillëzimi i Perëndilindëses” në Tiranë, ashtu sikurse në shumë kisha te vendit tonë dhe në shumë vende të botës orthodhokse u krye Liturgjia Hyjnore dhe Shërbesa e Ajazmës. 1 shtatori është dita e parë dhe nisja e predikimit mbi misterin e dashurisë hyjnore, ndaj besimtarë të shumtë i kushtojnë rëndësi kësaj dite që ka për qëllim të orientojë lutjen dhe të ndikojë për jetën në vazhdim. Besimtari, brenda mistereve të Kishës dhe në mënyrë të veçantë me Liturgjinë Hyjnore jeton përtej kohës dhe nëpërmjet saj, ai pret jetën e përjetëshme. Në urimet e shumta të klerikëve dhe besimtarëve spikati mesazhi se nëse duam që ta fillojmë mbarë këtë vit të ri kishtar, duhet të bashkohemi me Krishtin dhe të duam njëri-tjetrin, ashtu siç na do ne Perëndia.

 

Shën Nikita


Shën Nikita ishte nga fisi i Gotëve që ishin vendosur përtej lumit Istra në vitet e Kostandinit të Madh. Si një diell i ndritshëm Nikita ndriti në mes të atyre reve të barbarizmit sepse nuk u bë si të tjerët. Kjo për arsye se që në moshë të vogël u njoh me besimin kristian nga episkopi Theofil i cili shpesh i kujtonte Nikitës fjalët e Apostull Pavlit: “Po ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove, duke ditur prej cilit i ke mësuar; edhe se që nga foshnjëria i di shkronjat e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtim me anë të besimit që është në Jisu Krishtin”. Mësoi shumë mirë gjuhën greke dhe përktheu në gjuhën e Gotëve nga greqishtja Shkrimin e Shenjtë. Kështu bashkëkohësit e tij, dikur barbarë, filluan të përparonin në besimin Kristian. Duke mos duruar këtë aktivitet të shenjtit tirani Athanas e arrestoi shenjtin dhe e kërcënoi me jete nëse nuk do të mohonte Krishtin. E sollën përpara kryetarit Athanarkio i cili e kërcënoi se n.q.s nuk do të mohonte Krishtin atëherë do të vdiste. Por mjaft i qetë shenjti iu përgjigj: “Jam i krishterë dhe pranoj më mirë të vdes se sa të mohoj emrin e ëmbël të shpëtimtarit Krisht të cilin para të gjithëve e pohoj si Perëndi të vërtetë. Jam i gatshëm të derdh gjakun tim për hir të dashurisë që kam për të”. Duke mos duruar dot pohimin e shenjtit, tiranët filluan ta godisnin me gurë. Më pas ndezën një zjarr të madh dhe e hodhën në të. Me gjithë dhimbjet e mëdha shenjti nuk reshti së himnizuari Perëndinë e vërtetë duke e ruajtur të pastër besimin e tij deri në fund. Kështu së bashku me shumë pohues të tjerë të besimit shën Nikita dorëzoi shpirtin e tij në duart e Perëndisë duke u bërë i denjë për të marrë kurorën e martirit.